Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Me miratimin e marrëveshjeve të Berlinit, Kurti i ka thënë po fusnotës dhe e ka pranuar demarkacionin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur për miratimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar në kuadër të Samitit të Berlinit.

Ai ka thënë se me miratimin e këtyre marrëveshjeve në Qeveri, i është thënë po fusnotës dhe është pranuar demarkacioni.

“Dje në mbledhje të Qeverisë e ka miratua procesin e marrëveshjeve të Berlinit, i ka thënë po fusnotës. Dhe dje në Qeveri ku i kanë miratuar këto marrëveshje, në Mal të zi e ka pranuar demarkacionin. Për këto gjera ne duhet ti themi se këtu është ushtru dhunë fizike ndaj deputetëve dhe institucioneve dhe përveç dhunës fizike është shpallë tradhti politike”- ka thënë Hoxhaj.

Ai tutje ka folur edhe për pranimin e planit franko-gjerman nga kryeministri Kurti.

“Javën e kaluar ka vendos kushte në Kuvend, pranimin e planit e ka bë në restorantin Garden, dhe shpalljen e ka bërë në Twitter. Janë tri nivele që ju ta kuptoni se çka i bie procesi politik”- ka thënë ai.

Dje, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Samitit të Berlinit të mbajtur më 3 nëntor të vitit 2022.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa, Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve, Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Po ashtu, sot është miratuar edhe projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor.

Këto tri marrëveshje janë të nënshkruara në kuadër të Samitit të Berlinit me 3 nëntor të vitit të kaluar.