Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Kurti ngjan me dikë që hyn në autostradën e tij politike gabimisht, e thotë që krejt kenë gabim

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht ish- ministër i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj është deklaruar në interpelancën e thirrur për kryeministrin Albin Kurti në lidhje me çështjen e masave të Qeverisë për situatën e krijuar në vend.

Hoxhaj tha se Kurti ngjan me dikë që hyn në autostradën e tij politike gabimisht dhe thotë se “Kenë krejt gabim, une kesh në drejtim të duhur”.

“Kryeministri i përngjan dikujt që hyn në autostradën e tij politike gabimisht dhe krejt ata që i sheh në drejtim të kundërt thotë çka paska ndodhë me këta dhe jam i sigurt që edhe në mars të 2023-ës ka me qenë në autostradën e tij politike gabimisht dhe ka me ardh me ju thonë juve deputetëve; ‘Kenë krejt gabim, unë kesh në drejtim të duhur’”- tha Hoxhaj.

Hoxhaj situatën në veri e cilësoi si pikën më të ulët të politikës në Kosovë në 20 vitet e fundit dhe shtoi se është ”humnerë politike” që komunat janë pa kryetarë.

“Situata në veri të vendit është në pikën më të ulët të politikës në Kosovë në këto 20 vitet e fundit dhe të sigurisë dhe është fillimi më i vështirë që ka pasë ndonjëherë Kosova në këto vitet e fundit apo ma mirë me thënë pas shpalljes e pavarësisë së Kosovës”- u shpreh Hoxhaj.

“Është humnerë politike ku komunat e Kosovës janë pa kryetarë, asambletë parlamentare janë pa këshilltarë, stacionet policisë janë pa polic, ku gjykatat dhe institucionet e drejtësisë janë pa prokurorë e gjykatës dhe kjo është situatë reale”- shtoi ai.

Ish-ministri ftoi kryeministrin Kurti që përtej kësaj seance, të mbajnë një seancë të mbyllur për çështjen e veriut.

“Data e 5 nëntorit është data më e keqe e historisë moderne të Kosovës ku çka kemi ndërtuar nga viti 2008 është shemb me 4,5 nëntor. I kisha ftu përtej kësaj seance, të kemi edhe një të mbyllur kurdo kryeministri mendon që të folim për këtë temë”- theksoi Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, Kurti ka qenë historikisht gabim në disa tema dhe kërkoi llogari se çka do të ndodhë me zgjedhjet në veri.

“Dua të dëgjoj çka do të ndodhë me zgjedhjet në veri. Çka do të ndodhë me çështjen e asociacionit. A do të kemi marrëveshje që përfshin anëtarësimin në OKB apo njohjen, apo asnjërën e as tjetrën. Unë e ftoj kryeministrin që të shkojë në Uashington, në Londër, Berlin, Paris, Bruksel. Nuk është e rrezikshme diplomacia e tavolinave. Më e rrezikshme është ajo e terrenit”- tha mes tjerash Hoxhaj.

Kryeministri Kurti sot është përballë deputetëve, në interpelancën e ftuar për “masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend”.

Interpelanca është ftuar nga opozita pas situatës së krijuar në veri, për shkak të targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Javën e kaluar u arrit një dakordim për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.