Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Kryeministri mos ta luajë të fortin me sindikalistët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë se për çështjen e grevës duhet të gjendet një zgjidhje kalimtare deri në tre apo katër muaj.

Kjo sipas tij duhet të ndodh deri në miratimin e Ligjit për paga i cili pritet ta zgjidh problemin.

Hoxhaj tha se një zgjidhje kalimtare mund t’i kushtoj qeverisë deri në 32 milionë euro.

“Ne po flasim si ta kem një zgjidhje kalimtare, meqë Ligji i Pagave do ta zgjedh problemin prej janarit, dhe një zgjidhje kalimtare sipas kalkulimeve të kolegëve tanë që vijnë nga fusha e financave, për tre muaj do të ishte diku 24-25 milionë, për katër muaj do të ishte 32 milionë dhe unë po ju ftoj juve për një zgjidhje kalimtare” – ka thënë Hoxhaj.

Ai ka ftuar kryeministrin Kurti që të bisedojë me sindikalistët, teksa ka thënë se Kurti nuk duhet “ta luaj të fortin”.

“Nuk ka nevojë ta luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat dhe nuk ka nevojë ta luajë rolin e të fuqishmit në raport me opozitën” – ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se sot është java e katërt e grevës dhe humbja e këtyre ditëve në shkollë është e dëmshme për fëmijët.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon sot debatin parlamentar për grevën në Kosovë.

Në Kosovë po vazhdon ende greva e BSPK-së e cila ka filuar më 25 gusht.