Hoxhaj kritikon qeverisjen e Isa Mustafës dhe Shpend Ahmetit në Prishtinë

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kritikuar qeverisjen e Isa Mustafës ish-kryetarit të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe të kryetarit aktual Shpend Ahmeti.

Duke folur për zgjedhjet lokale në kryeqytet, Hoxhaj ka thënë se Prishtina ka nevojë për një kandidat që do të propozohet nga partia e tij.

“Mendoj që kryeqyteti jonë Prishtina, ka nevojë për një kandidat që do të propozohet nga PDK për ta ndryshuar gjendjen në kryeqytet. Mendoj që Shpend Ahmeti ka dështuar në mënyrë klasike. Nuk di unë ndonjë projekt të matshëm në këto 8 vitet e fundit. E po ashtu, edhe Isa Mustafa ka dështuar në kryeqytet. Dytë e kanë menaxhuar kryeqytetin sikur të mos kishte fare kryetar”, tha Hoxhaj në një paraqitje publike i ftuar nga Organizata Joqeveritare Lëvizja “FOL”.

Ditë më parë, Hoxhaj ka deklaruar se ende nuk dihet nëse kandidat për kryetar të Prishtinës, do të jetë Uran Ismaili.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen këtë vjeshtë. Presidentja Vjosa Osmani ende nuk e ka caktuar datën e këtyre zgjedhjeve.