Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj fton Kurtin në 5 debate publike

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka ftuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin, në pesë debate publike.

Hoxhaj në një konferencë për media teksa prezantoi progarimin e tyre për zgjedhjet të 14 shkurti, ftoi Kurtin që ta bëjë të njëjtën që “qytetarët t’krahasojnë” programin e PDK-së me atë të LVV-së.

“Ne duam që njerëzit ta krahasojnë ofertën e PDK-së me ofertën e LVV-së. Për këtë shkak, po i drejtohem Albin Kurtit që ta ndjek shembullin tonë dhe të veprojë njëjtë. Të prezantojë programin e tij, zotimet e tij dhe të na tregojë se si do t’i zbatojë ato. Unë shpresoj se ai do ta bëjë këtë. Deri më 31 janar. Sikurse duhet ta bëjmë secili prej nesh. E, më pas do t’i kemi 10 ditë – prej 3 deri më 12 shkurt që të debatojmë. Debati është i domosdoshëm për çdo demokraci. Sot i bëj thirrje Albin Kurtit që t’i kemi 5 debate. Debate serioze. Debate informuese. Ashtu që qytetarëve t’ia ofrojmë informacionin dhe elementet e nevojshme për ta marrë vendimin e tyre. I bëj thirrje Albin Kurtit që ta pranojë këtë tani. Kudo që ai dëshiron. Me çfarë kushte që ai dëshiron. Me kusht që i respektojmë rregullat bazike të angazhimit demokratik. Me kusht që i respektojmë proceset demokratike”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj gjatë prezantimit të platformës së rimëkëmbjes deklaroi se e kanë të ndërtuar me pesë shtylla.

“Sot jam në konferencë që të prezantoj platformën e rimëkëmbjes zgjedhore dhe e cila ndërtohet në pesë shtylla: 1 Rimëkëmbja ekonomike; 2 përballja e menjëhershme me shëndetin e njerëzve; 3 Zbatimi dhe promovimi i sundimit te ligjit dhe luftës së korrupsionit; 4 Ndërtimi i një sistemi arsimor modern; 5 Politika e jashtme dhe rikthimi apo ri ngritja e Kosovës në hartën e shteteve sovrane”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.