Hoxhaj e Kosnett bisedojnë për situatën aktuale

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës,(PDK0 Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim virtual me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.

Sipas komunikatës së PDK-së, Hoxhaj dhe Kosnett kanë diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, përfshirë urgjencën e përballjes me pandeminë dhe menaxhimin e ekonomisë.

Po ashtu në komunikatë bëhet e ditur se Hoxhaj ka falënderuar ambasadorin Kosnett për përkrahjen e vazhdueshme që vendi i tij i ka dhënë Kosovës.

“PDK si parti opozitare dhe si parti shtet formuese ka treguar një qasje konstruktive në raport me çdo proces politik. Situata e Kosovës është e rëndë dhe PDK është duke e përcjellë me shqetësim të vazhdueshëm qasjen e qeverisë karshi menaxhimit të pandemisë dhe krizës ekonomike.”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.