Qeveria e Kosovës - Foto: ZKM

Hoxhaj e Bytyqi debatojnë për vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Qeveria e Kosovës aprovoi krijimin e një kornize ligjore specifike, me qëllim që të sigurohet pavarësia e plotë e funksionimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim(AKA).

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi propozoi një koncept-dokument i cili do të jetë përgjegjës për krijimin e politikave në pavarësimin e plotë të funksionimit të Agjencionit Kosovar të Akreditimit.

Duke u bazuar në vendimet e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KShC), kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi sqarim nga ministri Bytyqi rreth kthimit të programeve të cilat u ishin tërhequr universiteteve publike dhe kolegjeve private.

“Të gjitha institucioneve publike edhe private iu është lejuar e drejta e ankesës siç është e paraparë edhe me ligj. Iu është mundësuar që t’i riorganizojnë profesorët në programet e caktuara në bazë të atyre që kanë aplikuar.”, sqaroi ministri Bytyqi.

Ndërkaq tutje ministri Bytyqi tregoi se koncept-dokumenti pas plotësimit të detajeve do të shërbejë si ligj, i cili do të rregullojë pavarësinë e këtij agjencioni, në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje në vendimet e tyre.

“Ky është një koncept dokument edhe në ligj do të paraqitet me detaje. Është një kombinim mes parlamentit dhe qeverisë të cilët ekzistojnë tashmë me aktet nënligjore, por të cilët kalojnë në ligj edhe krijojnë këtë lloj pavarësie. Është kombinimi mes Këshillit Shtetëror të Cilësisë nga parlamenti, formës se si zgjidhet, ndërsa drejtori ekzekutiv nga qeveria e Kosovës. Pas asaj që na ndodhi dhe problemeve me ENQA-në, ne me akte nënligjore i rregulluam këto çështje dhe tani po i shndërrojmë në një ligj, në mënyrë që të mos kemi problem me pavarësinë e tyre.”, ka shtuar ai.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj gjithashtu kërkoi sqarime nga ministri i Arsimit, lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KShC), të cilët sipas tij, “kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk e kanë kuptuar përshkrimin e punës”.

Ministri Bytyqi theksoi se vlerësimi bëhet nga ekspertët e jashtëm ndërsa vendimet merren nga bordi i KShC-së.

Në anën tjetër, Bytyqi deklaroi se anëtarët e KShC-së i kanë të rregulluar me akte ligjore përgjegjësitë dhe mënyrën e vendimmarrjes, duke shtuar se nëse institucioni i arsimit të lartë nuk plotëson kushtet minimale, KShC mund të vendosë pa pritur ekspertizë të jashtme.

“Nëse flasim për Akreditimin e programeve, keni të drejtë se ekspertët e jashtëm e bëjnë vlerësimin një herë dhe pastaj vendimmarrjen e bën Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Por kur flasim për kushtet minimale të mirëmbajtjes së një programi, siç janë rastet e fundit. E ka të rregulluar me akt ligjor KSHC të marr vendime vazhdimisht. Për çdo vit, çdo institucion i arsimit të lartë është i obliguar t’i prezantoj minimumin e kushteve që janë për profesorë të rregullt, që i mbulojnë programet e që nuk ka nevojë që të jenë ekspertët e jashtëm që t’i vlerësojnë.”, ka përfunduar ministri Bytyqi.

Më vonë ministri Shyqiri Bytyqi ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se miratimi i koncept-dokumentit për plotësimin e akteve ligjore për pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim(AKA) është shumë i rëndësishëm.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke pasur parasysh rëndësinë e këtij koncept-dokumenti i cili është i përfshirë në planin e punës se MASHT për vitin 2019 dhe PSAK-un, e vlerëson si moment tejet pozitiv miratimin e këtij koncept-dokumenti, që gjithashtu edhe programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, e trajton me prioritet të lartë.”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Tutje ka shtuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të jetë përgjegjëse për krijimin e politikave në pavarësimin e plotë të funksionimit të Agjencionit Kosovar të Akreditimit, si dhe do të kujdeset që kjo fushë të rregullohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.