Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin.

Këto deklarime të Hoxhajt vijnë pas deklarimeve të Kurtit, i cili kritikoi marrëveshjet që kishte bërë ish-presidenti Hashim Thaçi me NATO-n.

“Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin. Tërë karrierën e tij politike e ka orientuar në përbaltjen e figurës së tij dhe kurrë nuk ia ka arritur. Edhe tani që presidentin Thaçi nuk e kemi këtu, Kurti prapë po vazhdon të merret me emrin e tij”, thuhet në reagimin e Hoxhajt.

“Zotimet e kryeministrit Thaçi me NATO-n kanë qenë dhe mbeten legjitime dhe faktikisht po zbatohen edhe nga kjo Qeveri, sikur të gjitha ato paraprake. Përndryshe, ky kryeministër do të duhej ta dëshmonte të kundërtën duke ndërmarrë hapa konkret për anulimin e saj. Më shumë sesa për presidentin Thaçi dhe zotimet në esencë, kjo qasje e tregon për inferioritetin e tij patriotik e politik dhe mungesën e vizionit qeverisës. Por, nëse dëshiron të flasim me fakte, qe një: Albin, ti je kryeministri i vetëm në Evropë pa asnjë kontratë për vaksina”, thuhet në fund të reagimit.

Kurti: Marrëveshje e 2013 në mes Kosovës dhe NATO-së ka qenë e dëmshme

www.kallxo.com