Momenti kur autoblinda e Policisë së Kosovës sulmohet me Zolë nga grupi terrorist

Hoxha: U gjuajtën me "Zola" autoblindat që shkuan për të mbështetur policët dhe për ta tërhequr Afrim Bunjakun

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka shpjeguar në detaje se si ka ndodhur sulmi ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit që nga momenti i vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku.

Mjetet e blinduara policore që kishin shkuar për të mbështetur e për tërhequr policin e vrarë e tjetrin që ishte plagosur u gjuajtën me raketahedhës të quajtur “Zola”.

Sipas Hoxhës, në mesin e gjithë armatimit, që në masë të madhe është armatim luftarak, u konfiskuan 7 raketahedhës të tillë të cilët u përdorën në natën kritike.

“Autoblindat tona kanë shkuar për të mbështetur dhe për të tërhequr policët tanë të plagosur dhe fatkeqësisht policin e vrarë. Është momenti i sulmit, hedhja nga pjesa e epërme, fati ka qenë në anën tonë dhe nuk është qëlluar direkt blinda” – thotë Hoxha teksa shpjegon se momenti në fjalë ka ndodhur në orës 4:21 të mëngjesit.

“Është goditja me raketahedhës, me “Zola”” – vazhdon drejtori i Policisë.

Tutje ai shton se policët vazhdojnë të kalojnë këtë pritë të organizuar dhe dalin përtej barrikadës, pra përtej dy kamionëve që kishin bllokuar rrugën.

“Dalin nga krahu i majtë i armikut dhe nga krahu i djathtë i forcave tona, rrugës që shkon për Izvor nga Banjska” – thotë Hoxha.

Veturat janë të Policisë që kanë qenë të sulmuara.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.

Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.

Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.