Situata në veri të vendit, pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës në terren pas shpërthimit të kanalit të Ibër Lepencit/ Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Hoxha: Shumica e personave në pronat e të cilëve janë kryer kontrolle lidhen me Mbrojtjen Civile

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë detaje shtesë lidhur me kontrollet që janë kryer në 10 lokacione të ndryshme gjatë ditës së sotme, më 30.11.2024, në veri të Kosovës.

Sipas Hoxhës, shumica e kontrolleve u kryen në pronën e personave që kanë lidhje me organizatën “Mbrojtja Civile”, e cila gjatë vitit të kaluar është shpallur si organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës.

“Shumica e personave në pronat e të cilëve janë kontrolluar janë persona të dyshimtë të ndërlidhur me Mbrojtjen Civile e që nga Qeveria është shpallur organizatë terroriste”– theksoi drejtori i PK-së.

Madje ai tha se po këta persona mund të kenë lidhje edhe me Millan Radoiçiqin, i pandehuri kryesor për sulmin terrorist të 23.09.2024 në Banjskë të Zveçanit.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë këtyre bastisjeve në veri.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri o Brendshëm Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.