Hoxha: RTK nuk transmetoi shpalljen e konkursit për anëtarë të bordit
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, Fadil Hoxha ka thënë se televizioni publik tash e katër ditë nuk e ka transmetuar shpalljen për konkursin për tetë anëtarë të bordit të RTK-së.
“Konkursi për tetë anëtarë të bordit të RTK-së edhe pse është shpallur para katër ditëve, për çudi njoftimi për shpalljen e tij nuk është duke u transmetuar në RTK – TV. Ky veprim është tepër brengosës për faktin se publiku po privohet nga e drejta për t’u informuar rreth zhvillimeve në institucionin të cilin vetë e financojnë”, ka shkruar ai.
Por pak minuta pas publikimit të këtij postimi, Hoxha ka bërë të ditur se RTK ka nisur transmetimin e promos së shpalljes së konkursit për tetë anëtarë të bordit të RTK-së.
KALLXO.com ka kontaktuar me kryeredaktorin e RTK-së, Xhymret Veliu i cili nuk ka mohuar e as pohuar nëse e njëjta shpallje është transmetuar tash e katër ditë.
“Unë jam përgjegjës për programin dhe jo për promo administrative. Nuk kam lidhje me këto nuk i trajtoj ato. Nuk është përgjegjësi imja, nuk jam përgjegjës për promo. Nuk ka lidhje kjo me mua hiç. Jam kryeredaktor për çështje programore. Nuk pyetem për këtë punë as nuk lejoj as nuk ndaloj. Nuk më ka thënë kërkush me e lëshu. Nuk mundem me të thënë që nuk është transmetu, sepse mua më kanë pyet operatorët e masterit, u kam thënë se unë nuk e di këtë çështje, i takon tjetër kujt, i takon administratës që e ka shpallur konkursin, nuk mundem me të thënë që ka shku ose jo”, ka thënë ai për KALLXO.com
Operatorët master (mscr) janë operatorët në dhomën e transmetimit të programit në RTK.
Ndërkaq, Festim Kabashi, drejtor televiziv në RTK në një përgjigjë për KALLXO.com tha se beson që shpallja është transmetuar dhe se nuk ka arsye që të mos ndodh.
“Është shpall të hënën konkursi, besoj që është transmetu gjatë këtyrë ditëve. Nuk ka pas kurfarë arsye mos me u publiku. Nuk mundem me u përgjigjë pa bisedu me kryeredaktorin”, tha ai për KALLXO.com
Por Hoxha, ka përkujtuar që dje ishte e mërkurë përderisa “promoja e konkursit është dorëzu të shtunën në dhomën e transmetimit. Është rregull që asnjë promo nuk guxon me u transmetu pa konfirmimin e kryeredaktorit ose njërit prej drejtorëve. Këta asnjëri nuk e kanë bërë konfirmimin për disa ditë”, tha ai duke shtuar “kemi me këqyr sa herë brenda dite ka me u transmetu”.
KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë elektorike të RTK-së por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Më 19 korrik është hapur thirrja për aplikim për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptar të bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës.
Thirrja do të jetë e hapur deri më 2 gusht, në ora 16:00, për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë për pozitën e anëtarit të bordit të RTK-së dhe plotësojnë kriteret e kërkuara me konkurs.
Bordi i RTK-së u shkarkua më 8 korrik nga Kuvendi i Kosovës.
Doarsa Kica tregon arsyet se pse duhet të shkarkohet Bordi i RTK-së