Hoxha: Punëtorëve të RTK-së nuk u është paguar Trusti për afër 6 muaj

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha në një intervistë për KALLXO.com ka thënë që punëtorëve të transmetuesit publik i janë marrë paratë por nuk i është paguar Trusti.

Hoxha ka thënë që këtë problem e kanë vërejtur pasi që kanë shkuar për të pyetur pas dyshimeve që i kanë pasur.

“Na dalim e zbulojmë dikund në tetor, shkoj në Trust me një ekip të kryesisë, dhe atje na thonë që prej prillit deri në tetor, afër 6 muaj ose 5 muaj e gjysmë, vijmë reagojmë për shkak që paratë janë marrë prej pagave edhe na ke thanë po e paguajmë Trustin. Këtu është bërë një dëm për shkak që ato para Trusi i investon në aksione ndërkombëtare dhe ne jemi privuar për 6 muaj prej të drejtës së përftimit”, tha ai.

Hoxha tutje ka thënë se arsyetimi i menaxhmentit ka qenë se nuk kanë pasur para për të realizuar pagesën e Turistit.

“Edhe më e keqja nuk na kanë kallxu, e kam informu menaxhmentin na kanë than jo s’kemi pas para, jo është shkurtuar buxheti, jo kështu. Ti po luan me para të punëtorëve, ti ke qenë i obliguar ato para me i çu në Trust, kanë reaguar shpejt dhe janë paguar të gjitha, por dëmi është bërë”, tha ai.

 

Tutje në këtë intervistë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha ka thënë se në këtë institucion ka pasur selektim të punëtorëve.

“Dëmi tjerë ka qenë, aty e kemi ne, me kontratë kolektive e ndajmë një ndihmë solidare për punëtorët, ajo është traditë prej 2007, paramendoni edhe e kishin bërë në mënyrë selektive, i kishin pas mbledhë 40 raste, shembull atij që ka pasë vdekje para 1 muaji i është paguar, atij që ka pasë para 1 viti e gjysmë nuk i është paguar, kemi reaguar edhe për këtë mandej i paguajnë për 40 punëtorët, edhe kjo është një parregullsi”, tha ai.

Tutje Hoxha ka insistuar se ky bord duhet të shkojë dhe në RTK duhet të fillojë llogaridhënia.

Të gjitha palët e përmendura në emision janë kontaktuar nga KALLXO, por asnjë nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të emisionit.

Në emisionin e sotëm, përveç Hoxhës për gjendjen në RTK do të flasë edhe Jeton Mehmeti i cili do të tregoj për rezultatet e monitorimit disa vjeçar të bërë ndaj këtij institucioni.