Hoxha: Policia kishte koordinim me KFOR-in për të parandaluar djegien e pikës kufitare në Jarinjë

Drejtori i Operacioneve i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka thënë se Policia ka komunikuar me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) me qëllim të parandalimit të djegies së pikës kufitare në Jarinjë.

“Kemi komunikuar më partnerin tonë kryesor të sigurisë që është KFOR. Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë qenë të gatshëm, kanë pasur një plan operativ për të vepruar më qëllim që të mos vijë deri të djegia apo dëmtimi i pikave tona kufitare”- ka thënë Hoxha në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, pika kufitare në Jarinjë është pikë në territorin e Serbisë dhe shteti serb e ka për detyrë të ofrojë siguri.

“Jemi duke folur për pikën e Jarinjës. Ajo çfarë mund të themi është se pika e Jarinjës është pikë që sipas marrëveshjes së Brukselit është e Serbisë kurse ajo në Bërnjak është në territorin e Kosovës. Ai shtet që e ka brenda territorit të vet pikën kufitare e ka për detyrë të ofrojë siguri”- ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka thënë se personat që janë parë në protestën në Jarinjë janë grupe kriminale.

“Grupet kriminale që janë parë atje janë grupe të huliganëve, të tifozëve të caktuar, banda kriminale që shihet se ishin të maskuar dhe tentonin të lëviznin në pjesë të territorit të Kosovës por koordinimi mes Policisë së Kosovës ka menaxhuar situatën mirë, nuk kemi pasur ndonjë pasojë atje”- ka shtuar Hoxha.

Shefi i Operacioneve në PK tutje ka folur edhe për arrestimin e njerëzve që kanë planifikuar djegien e pikave kufitare.

“Të gjitha këto janë pjesë e hetimeve që do të kryhen dhe janë duke u kryer, por nuk mund të flasim për detaje që mund të prishin procesin e hetimeve”- ka thënë tutje ai.

Më 18 dhjetor, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Pas protestës, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se në Kosovë po qëndrojnë “aktorë” shtetëror dhe jo shtetëror nga Serbia dhe Rusia duke tentuar të cënojnë sovranitetin e vendit.

Sipas Sveçlës në Jarinjë u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës.