Hoxha: Në vend se të kërkojmë drejtësi për viktimat e luftës, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha tha sot para deputetëve të Kuvendit se historia e vendit duket e përmbysur.

Sipas Hoxhës, në vend se të kërkohet drejtësi për viktimat e luftës, sot po kërkohet drejtësi për çlirimtarët.

“Sot historia jonë duket e rrokullisur dhe e përmbysur, ku në vend se të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi si viktima të luftës, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë, e ata që dikur marshuan drejt lirisë, të dielën Prishtina ishte e vogël për të përqafuar zemrat e qytetarëve të Kosovës. Kosova u bë bashkë për historinë e sa, Kosova u bë bashkë për të vërtetën e saj, Kosova duhet të jetë bashkë për të ardhmen që të mos lejojmë padrejtësi të reja në emër të drejtësisë” – ka deklaruar Hoxha.

Deputetja e PDK-së falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e marshin që u mbajt të dielën e kaluar.

“Një faleminderit nga zemra për të gjithë qytetarët, organizatat jo qeveritare, partitë politike, bizneset, artistët që të gjithë së bashku marshuam të dielën, marshuam për drejtësi dhe ky nuk ishte i rëndomtë ishte marshi i dinjitetit tonë qytetar” – tha Hoxha.

Mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, por edhe më gjerë, vërshuan javën e kaluar në sheshet e Prishtinës në kuadër të Marshit të Drejtësisë.

Të hënën ka filluar gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.