Hoxha: Millan Radojiçiq kënd ka dashtë e ka bërë shef të Policisë, kënd ka dashtë e ka bërë drejtor në Komunë

“Ka pasur edhe struktura të tjera, ndoshta Millani ka qenë njëri prej kryesorëve, Millan Radojiçiqi kënd ka dashtë e ka bërë shef të Policisë, kënd ka dashtë e ka bërë drejtor në Komunë. Ajo dihet botërisht, atje ka vepruar krimi i organizuar, më dhimbset ajo popullata që as atëherë as tash nuk i ndihet zëri”.

Kështu tha në emisionin “Kallxo Përnime” Sylë Hoxha, ish-prokuror i Prokurorisë Speciale, i cili ka drejtuar hetimet ndaj Millan Radojiçiqit.

Hoxha ka folur edhe për thyerjen e barrikadave në veri në vitin 2019 dhe rezistencën që kanë hasur.

“Ka pasur një lloj rezistence, jo janë lëshuar alarmet, një herë tjetër kur kanë shkuar ta arrestojnë Radojiçiqin ka pasur të shtëna me armë. Aty janë arrestuar policë që kanë qenë pjesë e mbrojtjes civile territoriale, ka pasur rezistencë por ato kanë qenë aksione të suksesshme. Gjatë informatave që kam pasur në pjesën veriore fjalën kryesore e ka pasur krimi i organizuar” – tha ai.

Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.