Hoxha: Drejtori i RTK-së është zgjedhur jashtëligjshëm

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se bordi i RTK-së e ka shkelur ligjin gjatë emërimit të drejtorit gjeneral të këtij institucioni.

Hoxha ka insistuar se në votim nuk kanë marrë pjesë 2/3 e anëtarëve dhe se drejtori është zgjedhur vetëm me 6 vota, gjë për të cilën ai ka thënë që e kanë ngritur alarmin edhe në Komisionin për media të Kuvendit të Kosovës.

“Drejtori gjeneral është zgjedhur me 6 vota. Shkelja është e matshme dhe e argumentueshme. Ne kemi shku, kemi alarmu, ne paguhemi me mbrojtë ligjshmërinë e po bëjmë shkelje të ligjit. Nuk ka kanë lënë me monitoru dhe kur e kemi pa që brenda s’po mundemi me bo kurrgjë ju kemi drejtuar Kuvendit, kryetar i Komisionit për media ka qenë Nait Hasani dhe i kemi thanë: Ndaleni këtë gabim! mirëpo ai ka thënë që Kuvendi nuk e trajton” , ka thënë ai.

Hoxha ka thënë se bordi përveçse ka zgjedhur jashtëligjshëm drejtorin, ka vazhduar edhe me zgjedhjen e menaxhmentit të cilin e ka bërë pa transparencë.

“Sindikata nuk është thirrur kur është realizuar intervista me gojë, dhe ne pastaj e kemi kompletuar dosjen dhe e kemi dërguar në Inspektorat të Punës për shkak që nuk është përfillur kontrata kolektive, përkatësisht neni që na lejon monitorimin e procesit. Inspektorati më tha që tek para një javë inspektorja e ka marrë rastin se ka qenë me COVID-19”, ka thënë ai.

Edhe në Komisionin për media ishte diskutuar për ligjshmërinë e zgjedhjes së drejtorit gjeneral të RTK-së.

Valon Ramadani, nënkryetar i Komisionit parlamentar për Media nga radhët e LVV-së, tha që drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës është zgjedhur jashtëligjshëm.

“Njëra çështje ka të bëjë me një vendim që bordi e ka marrë që për mua është e qartë që është shkelë ligji i RTK-së. Janë 8 anëtarë që u dashtë me votu për me u zgjedh drejtori i RTK-së, ndërsa në bazë të informacioneve që kemi janë 6 anëtarë që kanë votuar për. Rrjedhimisht drejtori i përgjithshëm i RTK-së është zgjedhur jashtëligjshëm” , tha ai.

Në anën tjetër në këtë raportim, Sali Bashota, kryesues i bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), pati thënë që në këtë Komision po diskutohet për një proces i cili ka ndodhur kohë më parë përderisa, sipas tij, nuk është shkelur aspak ligji.

“Po diskutojmë për një proces që është kryer para 18 muajsh. Dje kemi marrë ftesë pa agjendë. Unë jam që dy vjet anëtar dhe kurrë Bordi nuk ka qenë me përbërje të plotë. Bordi i RTK-së është kolegjial dhe zbaton Ligjin e RTK-së në përpikëri dhe zgjedhja (e Drejtorit) është bërë në bazë të procedurave”, tha ai në raportim.

Anëtari i bordit të RTK-së, Lirim Geci në raportimin e tij para Komisionit për Media e ka pranuar se drejtori aktual i RTK-së është zgjedhur me 6 vota nga 11 anëtarë sa duhet të ketë bordi i transmetuesit publik.

“Krejt dokumentacionin e zgjedhjes së drejtorit mundemi me jua dhanë, 7 anëtarë të bordit e kanë nënshkruar procesverbalin e zgjedhjes… (Kanë votuar) 6-1. Procesi ka qenë transparent prej A deri në ZH”, ka thënë ai.

Më 24 prill të vitit 2019, Ngadhnjim Kastrati është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

Të gjitha palët e përmendura në emision janë kontaktuar nga KALLXO, por asnjë nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të emisionit.