
Hoxha: Do të sulmoheshin njësitet policore jo vetëm në Banjskë por gjithandej në veri të Kosovës
“Ka një plan për aneksim total të pjesës veriore të Kosovës, e paraparë në fazën fillestare me 37 pozicione nga ku do të sulmoheshin njësitet tona policore jo vetëm në Banjskë, por gjithandej në pjesën veriore të Kosovës”.
Kështu tha drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot.
Këtë deklaratë ai e dha derisa shpjegonte në detaje se si ndodhi sulmi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, në vendin ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Hoxha teksa prezantonte video-materialet që u nxorën nga dronët e grupit terrorist që kreu sulm në Kosovë, dronë që u konfiskuan nga Policia e Kosovës, dha detaje edhe për planin që sipas tij kishte ky grup terrorist.
“Plani i tillë ka qenë një plan total i aneksimit të veriut të Kosovës. Në dokumentet që kemi në dorë, por që tani për tani nuk mund t’i ndajmë me ju, ka një plan për aneksim total të pjesës veriore të Kosovës” – tha Hoxha.
Drejtori shtoi se zyrtarët policorë të njësiteve të ndryshme gjatë operacionit të datës 24 shtator kanë sekuestruar edhe dokumente, skica e harta, të cilat grupi terrorist i ka përdorur dhe përgatitur për të realizuar sulmin në fjalë.
“Nga ajo që kemi arritur të kuptojmë përmes analizës së ekspertëve tanë është se kemi arritur në përfundim se ky nuk ka qenë vetëm sulm i thjeshtë terrorist, por sulm me elemente ushtarake, diversant dhe terrorist” – thotë Hoxha teksa shton se gjithçka ishte e përgatitur nga njerëz që njohin fushën e sigurisë.
“Nuk është bërë nga njerëz të thjeshtë, por nga njerëz që kanë njohuri ushtarake, policore nga fusha e sigurisë që kanë planifikuar gjithçka në përpikmëri” – tha i pari i Policisë së Kosovës.
Ai thotë se grupi kishte në plan krijimin e një korridorit të lirë për Serbi, që më pas të lejoheshin furnizimet e tjera me njerëz, materiale dhe furnizime të tjera të nevojshme për një rezistencë të armatosur dhe për krijimin e një realitetit të ri në vend.
“Kjo nuk ka ndodhur, është dëshmuar edhe një herë që betejat nuk i fitojnë ata që kanë armatim, por ata që kanë kauzë të drejtë dhe që kanë zemër, e ata kanë qenë Policia e Kosovës” – tha Hoxha.
Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.
Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.
Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.
Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.
Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.
Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.
Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.
Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.
Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.
“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.
Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.
E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.