Dy ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli. FOTO: KALLXO.com

Hoxha: Dje Kosova u bashkua për historinë e saj

Dy ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë mbajtur konferencë për media pas Marshi i Drejtësisë që u mbajt dje, një ditë para fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, u shpreh se dje Kosova u bashkua për historinë e saj.

“Të gjitha rrugët dje quan në Prishtinë. Dje Kosova u bashkua për historinë e saj. Dje Prishtina ishte e vogël për me i përqafu zemrat e mëdha të qytetarëve tanë. Përulësisht faleminderit për të gjithë ju” – tha Hoxha.

Ajo pati falënderime edhe për punën e bërë nga vullnetarët, policia e mediat dhe admiroi, siç tha ajo, maturinë e pjesëmarrësve gjatë marshit të djeshëm.

“Por krejt kjo do të ishte e pamundur, pa vullnetarët që ndihmuan në organizim dhe mbarëvajtje, bashkë me Policinë e nderuar të Kosovës. Maturia e qytetaria e djeshme, ishte për tu admiruar. Faleminderit!” – tha Hoxha.

Dy ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli.
FOTO: KALLXO.com

Ndërkaq, Ismail Tasholli pati një falënderim edhe për bizenset.

“Zemrën e madhe të bizneseve që gjithmonë kur është në pyetje UÇK-ja nuk kursejnë asgjë. Afishet, bluzat, posterat, mesazhet, flamujt e çka jo tjetër, u bënë të mundura nga ata vetë. Faleminderit! Komunat e Kosovës, bashkë me kompanitë e transportit që i mundësuan gjithsecilit të vijnë në Prishtinë dje. Faleminderit! Ky marsh e ky mesazh nuk do të shkonte tek të gjitha audiencat pa personalitetet me influencë kulturore brenda dhe jashtë Kosovës” – tha ai.

Mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, por edhe më gjerë, vërshuan dje sheshet e Prishtinës në kuadër të Marshit të Drejtësisë.

Marshi i Drejtësisë është përkrahur edhe nga parti politike, drejtues të institucioneve dhe organizata të ndryshme.

Sot ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëluftëtarit e tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.