Hoxha akuzon RTK-në se i dha tender 80 mijë euro anëtarit të PDK-së

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, Fadil Hoxha, ka akuzuar RTK-në se i ka dhënë tender anëtarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fisnik Ademit.

Hoxha në një postim në Facebook ka shkuar se tenderi në fjalë është në vlerë 80 mijë euro, ndërsa i njëjti i është dhënë aktorit dhe anëtarit të PDK-së, Fisnik Ademi dhe bashkëshortes së tij.

“Hiq më larg se para dhjetë ditëve, RTK ja paska dhënë tenderin në vlerë prej 80 mijë euro, aktorit Fisnik Ademi dhe bashkëshortes së tij. Emisioni po quajka “Sekrete kuzhine”, ka shkruar Hoxha në postimin e tij.

Në bazë të publikimit të Hoxhës nga raporti i monitorimit të RTK-së shihet se kontrata në fjalë është nënshkruar më 28 janar 2021.

Hoxha tutje në postimin e tij e ka përmendur edhe faktin se Fisnik Ademi është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, duke bashkëngjitur edhe fotografi të postimeve në Facebook të Ademit, ku tregon përkrahjen e tij për PDK-në.

“Veç 80 mijë euro qaty për me bo llaf e muhabet n ‘kuzhinë. Nashta nuk është e tepërt me thanë se ky djali edhe me letra qenka anëtar i PDK-së”, ka shkruar Hoxha.

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktojë drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastratin, për të marrë detaje rreth këtij tenderi, por i njëjti deri në publikim e këtij shkrimi nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.