
Kandidati i AAK-së Edmond Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Hoxha (AAK): Pensionet mbi 500 euro dhe paga mesatare 1 mijë euro
Kandidatët për deputetë nga Koalicioni AAK-Nisma, në “Debat Përnime”, më 23.01.2025, kanë shpalosur planin zgjedhor për zhvillimin ekonomik në vend.
Edmond Hoxha tha se nëse ata vijnë në pushtet, si pikë e parë e agjendës së tyre qeverisëse do të jetë rritja e ekonomisë deri në 7%.
Për mënyrën sesi do të arrihet kjo përqindje, ai tha se do të fillojnë të bëjnë investime publike në vlerë prej 1 miliard euro, me tendencë që kjo shumë të rritet deri në fund të mandatit të parë në 1.5 miliard euro.
“Pika e parë është rritja ekonomike deri në 7 për qind. Kjo realizohet duke filluar me investime publike mbi 1 miliard euro, dhe duke e rritur deri në 1.5 miliard euro deri në fund të mandatit. Gjithashtu me investimet e huaja direkte që parashikohet të shkojnë deri në 2 miliardë euro, bashkë me investimet e sektorit privat”- tha Hoxha.
Ndërsa “top prioritetet” tjera të koalicionit AAK-NISMA, sipas tij, do jenë “investimet në bizneset e reja, paga mesatare deri në 1000 euro, pensionet mbi 500 euro dhe paga minimale që nuk do të jetë nën 500 euro”.
E gjithë kjo, sipas Hoxhës, mund të arrihet përmes lehtësirave financiare që janë paraparë me programin e tyre zgjedhor.
Për investimet e huaja, si zgjidhje ai e sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO, në mënyrë që të krijohet një siguri për investitorët e huaj.
Zgjidhja e dytë, sipas tij, është që bizneset të shihen si partnerë e jo si armiq. Siç thotë ai, kjo ndikon në rritjen e investimeve direkte.
Ndërsa kandidati tjetër, Smajl Latifi tha se përmes Ligjit për investime strategjike dhe lehtësimit të procedurave burokratike do të mundësohet një zhvillim më i shpejt ekonomik për Kosovën.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: