Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane

Hovenier thekson nevojën për shtensionim të situatës në veri, përfshirë zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka theksuar edhe një herë nevojën për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Sipas tij, duke përfshirë edhe zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.

“U theksua nevoja për shtensionim të menjëhershëm në veri të Kosovës, duke përfshirë zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, dhe zbatimin e plotë nga Kosova dhe Serbia të marrëveshjes së normalizimit”- ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter ku ka publikuar fotografi prej takimeve që janë zhvilluar sot.

 

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, sot gjatë ditës kanë zhvilluar takime me krerët e institucioneve sot në Kosovë. Ata janë takuar edhe me partitë opozitare dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Pas takimit të djeshëm me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së karshi palës kosovare.

Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashigntonit në lidhje me hapat urgjentë që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.