Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane

Hovenier takon Rakiqin, ia rikujton qëndrimet e SHBA-së për reciprocitetin dhe Radoiçiqin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sot ka takuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, i cili është edhe kryetar i partisë Lista Serbe.

Pas takimit, Hovenier tha që kanë biseduar për situatën e krijuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masave të reciprocitetit.

“Mu duk e rëndësishme ta takoj atë dhe partinë e tij, në kontekst të ngjarjeve të ditëve të fundit, biseduam për rëndësinë depërshkallzimit  të disa prej çështjeve. I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur t’i vendosë”, tha ai.

“Nga këndvështrimi ynë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime. Ne gjithashtu folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, shtoi ai.

Hovenier tha që me Rakiq kanë biseduar edhe për takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili është paralajmëruar të mbahet gjatë këtij muaji.

“Ramë dakord për rëndësinë e takimit të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji dhe ata duhet të shikojnë si të arrijnë t’i depërshkallëzojnë disa nga çështjet”, theksoi ai.

Hovenier tha që kreut të Listës Serbe i tregoi edhe për vlerësimin që SHBA-të e kanë për Milan Radoiçiq, nënkryetarin e kësaj partie.

“Më duhet t’u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur”, tha ai.

Dje ambasadori amerikan ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti, nga qeveria për KALLXO.com kanë thënë se ky është takim i rregullt.

Këto takime po ndodhin disa ditë pas zhvillimeve në veri të vendit.

Të dielen, para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti që do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Ambasadori Hovenier ka deklaruar se të dyja këto masa janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin në koordinim me komunitetin ndërkombëtar.