Hovenier: Shoqëria civile ka rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, SHBA do ju mbështesë

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2022”, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ju është adresuar gazetarëve dhe shoqërisë civile në një diskutim nga ‘Lëvizja FOL’.

Hovenier ka thënë se Ambasada por edhe qeveria amerikane e vlerëson përkushtimin e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit dhe se do të kenë mbështetjen e SHBA-së në këtë luftë.

“Ambasada amerikane e vlerëson luftën e organizatave civile kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit kërkon kohë, kemi nevojë për organizata për gazetarë. Dua të ju inkurajoj që te forconi rolet tuaja, ju premtoj që SHBA do të ju mbështesë në këtë luftë të rëndësishme”- tha Hovenier.

“Shoqëria civile luan rol të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në ndërtimin e demokracive më të fuqishme e efikase që i mbrojnë të drejtat e qytetarëve pa marrë parasysh gjinisë, etnisë, fenë, orientimin seksual e kështu me radhë. E cmojmë shoqërinë civile që punoni në Kosovë për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar qasje në drejtësi për të gjithë”- shtoi ai.

Ambasadori ka thënë se policia, gjykatat, prokurorët, shërbimi korrektues janë organe që po bëjnë përparim të dukshëm duke shtuar se ka ende vend për përmirësim.

“Duhet të gjithë të pranojmë që qytetarët presin më shumë nga Qeveritë. Populli presin që institucionet të na shërbejnë neve e jo të marrin nga ne. Që prokurimi të bëhet në mënyrë transparente, presim që gjyqtarët, prokurorët dhe mbrojtësit të kryejnë punën e tyre dhe të mos ndikohen në mënyra të padobishme”- theksoi ai.

Hovenier shtoi se  është i rëndësishëm edhe partneriteti ndërkombëtar dhe se objektiv kryesor i tyre është që t`u kërkojnë llogari aktorëve të korruptuar.

“Ne mendojmë se është rëndësishme të punohet ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të përmirësuar veprimet tona kolektive për parandalimin e korrupsionit, duhet të jenë më efikas dhe si objektiv i sigurisë kombëtare të SHBA-së. Angazhimi ynë momentalisht është që të kërkojë llogari aktorëve të korruptuar”- u shpreh ambasadori amerikan.

“Po ashtu kërkojmë që të përforcojmë kapacitetet e aktivistëve, gazetarëve hulumtues e shoqërisë civile. Jeni ju nikoqirët tanë të sotshëm sepse të gjithë jeni në ballë të luftimit të veprave të korrupsionit”- tha mes tjerash Hovenier.

Ndërkaq, Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive e ‘Lëvizjes FOL’, tha se për të luftuar korrupsionin duhet vullnet i palëkundur ngase siç tha ajo ai është fenomen global.