Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Foto: Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Hovenier: Po punojmë nga afër me Qeverinë për të siguruar që Policia e Kosovës të operojë në kushte sigurie

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hoveneir, është deklaruar shkurtimisht para mediave, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin, Albin Kurti.

Hovenier ka thënë se ka sapo ka zhvilluar një takim me Kurtin, duke shtuar se po punojnë afër me Qeverinë për të siguruar që Policia e Kosovës të mund të operojë në kushte dinjitoze dhe sigurie.

“Nuk kemi ndonjë deklaratë përtej asaj që kemi thënë, jemi shumë të shqetësuar për situatën dhe i dënojmë sulmet, po punojmë nga afër me Qeverinë për të siguruar që Policia e Kosovës të mund të operojnë në kushte dinjitoze dhe sigurie. Natyrisht u shprehim ngushëllimet më të thella popullit të Kosovës dhe familjen e policit të rënë në detyrë. Kaq kam për ju”- është shprehur Hovenier.

Përmes një komunikate për media, SHBA-të kanë dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagimi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”- ka shkruar Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se po monitorojnë situatën nga afër dhe se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjskë të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Zhvillimet e fundit rreth situatës në veri, mund t’i lexoni në këtë LINK.