Hovenier pas takimit më Kurtin: Nuk mund të them se ia kam ndryshuar qëndrimin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit më kryeministrin Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur t’ia ndryshoj Kurtit qëndrimin për situatën në veri.

Hovenier ka thënë se diskutimi më Kurtin ka qenë i mirë.

“Nuk mund të them se kam ndryshuar qëndrimin e kryeministrit i cili është i shprehur shumë publikisht, do të thosha që kemi pasur diskutim të mirë, më duhet ta përsëris qëndrimin e SHBA-ve se çfarë duhet të ndodhë e cila është se tani nuk e shohim nevojën që këta 3 kryetarë të punojnë nga objektet” – tha ai.

“Tani më janë disa pasoja të cilat i kam përmendur në situatën që tani jemi, shpresoj që do t’i kalojmë në mënyrë që të mos ketë më pasoja të tjera” – tha ai.

Ai nuk ka dhënë detaje nëse mund të ketë pasoja shtesë për Kosovën, pas atyre të së martës.

“Unë nuk jam në pozitë për të thënë se cilat janë, më duhet të them që SHBA është duke menduar se çfarë mjetesh të tjera kemi për të inkurajuar Qeverinë e Kosovës t’i bëjë gjërat që mendojmë se janë shumë të rëndësishme, e që është arritja e shtendosjes në veri” –  theksoi ai.

Ai shtoi se SHBA është e gatshme ta ndihmoj Kosovën për ta arritur shtensionimin, duke kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe Serbia.

“SHBA do të vazhdoj ta inkurajoj Qeverinë e Kosovës aq aktivisht dhe aq efektivisht sa mundemi për të ndihmuar shtendosjen. Siç e keni parë në deklarimet tona ne po kërkojmë edhe nga qeveria e Serbisë që të ndihmoj për të arritur një situatë më të mirë në veriun e Kosovës” – tha ambasadori.

Takimi i sotëm vjen pasi SHBA-ja e sanksionoi Kosovën me përjashtim në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës duke kërkuar që kryetarët e komunave në veri të punojnë në objekte alternative dhe policia të zhvendoset nga ndërtesat komunale.

Përkundër sanksioneve kryeministri Kurti ka thënë sot se kemi dallime në qasje me ShBA-në por assesi dallime thelbësore e vendimtare.

“Ka raste kur na dallojnë nga pak qasjet mirëpo këto nuk janë gjëra të cilat janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare, sot në ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilat shtiren si protestues e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës, prej të cilëve të çlirohet edhe republika jonë demokratike por edhe komuniteti serb dhe për këtë e kemi mbështetjen e SHBA-ve” – tha kryeministri Kurti.

Që nga e hëna në veri janë duke u mbajtur protesta për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të ri në ndërtesat e komunave veriore.

Të hënën, protestuesit e mbledhur në Zveçan kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it ku kanë lënduar 30 prej tyre.

Protestat janë duke vazhduar edhe sot në veri të vendit.