Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane

Hovenier: Në takim me Kurtin përsëritëm rëndësinë e themelimit të Asociacionit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka ndarë detaje për takimin me kryeministrin Albin Kurtin gjatë ditës së sotme, bashkë me Administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power.

Hovenier  tha se në takim me Kurtin kanë përsëritur rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Bisedë e frytshme me administratoren e USAID dhe kryeministrin Albin Kurti. Të inkurajuar që pamë ecjen e pandalur të Kosovës përpara, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Ne përsëritëm rëndësinë e implementimit të plotë të marrëveshjeve të Dialogut, përfshirë themelimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”- ka shkruar Hovenier në Twitter.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kanë zhvilluar sot një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it të akredituar në Kosovë, takim ky i cili ishte i mbyllur për media.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim kanë diskutuar për procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksin e Zbatimit nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel dhe ai i 18 marsit në Ohër ndërmjet të dyja shteteve.