Hovenier në Bllacë: NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin

Në 23 vjetorin e Ditës së Paqes, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka marrë pjesë në Manifestimin Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit.

Ambasadori amerikan ka thënë se NATO ka sjellur stabilitet dhe prosperitet për rajonin dhe Kosovën.

“I nderuar për të festuar sot Ditën e Paqes në kufirin e Maqedonisë së Veriut/Kosovës, përkrah zyrtarëve të Kosovës dhe anëtarëve të komunitetit diplomatik. 23 vjet më parë këtu, shumë kosovarë u kthyen në shtëpi. NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin”, ka bërë të ditur ai në rrjetin social “Twitter”.

23 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.

Osmani e Kurti: Miqësitë e ndërtuar me SHBA-në dhe shtetet anëtare të NATO-s janë të shenjta