Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier

Hovenier: Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dalë me një deklaratë për shtyp pas takimit ku është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Teksa Hovenier bëri të ditur se në mesin e pjesëmarrësve  të këtij takimi pati zyrtarë të Qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, udhëheqës politikë dhe anëtarë të korpusit diplomatik, ai tha se ky diskutim u organizua me një sërë palësh të interesuara për të dëgjuar larminë e pikëpamjeve për këtë temë dhe për të kërkuar gjuhë të përbashkët, me qëllim të lehtësimit dhe avancimit të obligimeve që Qeveria e Kosovës i ka marrë për zbatimin e Asociacionit.

“I dëgjuam drejtpërdrejtë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e një AKShS-je dhe si mund të arrihet kjo në mënyrë që të sigurojë të ardhmen e Kosovës si vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik. Këto perspektiva janë të rëndësishme për avancimin e përparimit të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik… Partneriteti ynë me Kosovën është i palëkundur. Diskutimi ynë i sotshëm pasqyroi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës” – tha ambasadori.

Sipas tij, diskutimi i sotëm u përqendrua në tri tema:

1.  Si mund të funksionojë Asociacioni në praktikë?

Ambasadori tha se pjesëmarrësit ngritën një varg temash, duke përfshirë pikëpamjet rreth përgjegjësive dhe kufizimeve të mundshme të një Asociacioni.

2. Si mund të funksionojë një Asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës?

Ambasadori amerikan tha se dëgjuan këndvështrime për Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

3. Si mund një Asociacion të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efikas të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë?

Po ashtu, Hovenier theksoi se kundërshtojnë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Edhe pse disa zyrtarë të SHBA-së tashmë e kanë thënë këtë, dëshiroj që sërish të qartësoj sërish qëndrimin e Shteteve të Bashkuara.  Nuk mbështesim asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës. Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë” – u shpreh ai.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë theksoi se presin që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj dhe se kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një Asociacion të komunave me shumicë serbe që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.

Këtë gjë ai e ka quajtur thelbësore, të rëndësishme dhe urgjente.

“Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente.  Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve” – u shpreh ai.

Ambasada amerikane në Prishtinë organizoi sot një takim me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë, për të dëgjuar perspektivat për Asociacionin.

Ndërkaq, sot dhjetra qytetarë kanë protestuar kundër “imponimit” të Asociacionit të komunave serbe.

 

Qytetarët protestojnë kundër Asociacionit