Foto: Ambasada e SHBA në Kosovë, Facebook
Hovenier: I treguam Kurtit që nuk e mbështesin ndryshimin e statusit për urën e Ibrit, aktualisht
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara), nuk kanë mbështetur ndryshimin e statusit aktual të Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Një gjë të tillë e ka thënë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas takimit të ambasadorëve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, aktualisht”- ka thënë Hovenier.
Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.
Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.
Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.
“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com.
BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.
“Të gjitha marrëveshjet e Dialogut, duke përfshirë edhe Urën, duhet të zbatohen plotësisht”- shtoi ai.
Qëndrimi i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë mbetet se Ura e Mitrovicës duhet të hapet sipas procesit të përshkruar në marrëveshjet përkatëse të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Ne mbetemi të hapur për të diskutuar se si mund të arrihet kjo me qeverinë e Kosovës”- shkruan në përgjigjet e ambasadës për KALLXO.com.
Më 31.05.2024, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.
Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh, ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.
Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikadat si kundërshtim ndaj autoriteteve të Kosovës. Ndërsa dy vite më pas, më 2013, më saktësisht duke u bazuar në ligje të Kosovës, u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut.
Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe me pemë.
Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015.
E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.
“Simboli i normalizimit”: Fati i Urës së Ibrit i varur nga dialogu në Bruksel