Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Zvogëlimi i buxhetit mund të falimentojë RTK-në

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është shprehur i shqetësuar me zvogëlimin e buxhetit për 2.2 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës.

Hoti tha se ky zvogëlim mund të falimentojë RTK-në.

“E falimentojmë ketë medium publik, RTK-në nëse ia shkurtoni buxhetin për dy milionë euro. 1,082 persona keni paraparë që t’i punësoni. Në buxhetin e vitit të kaluar lidhur me buxhetin për rimëkëmbje ekonomike më keni kritikuar për rritje ndërsa e keni bërë të njëjtën gjë”, tha Hoti.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky zvogëlim i buxhetit është i arsyeshëm duke marrë parasysh pagat e disa pozitave në RTK.

“Po besoj që ju si komision ndoshta edhe e dini që janë rreth 100 paga që janë më të larta se paga e ministrit. Kemi kursime rreth 2 milionë euro nga AKP nga ulja e pagave,  që e kemi shfrytëzuar për rekrutime në FSK nga AKP. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nga RTK. Nëse RTK i ka 100 persona që marrin me shumë se paga e ministrit, kjo për mua nuk është në rregull. Konsideroj se një buxhet i tillë është i mjaftueshëm”, tha Murati.