Hoti: Zhurma mediatike s’ka lejuar të shpërfaqet puna e mirë që kemi bërë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se zhurma mediake në vend s’ka lejuar që të dalë në sipërfaqe ‘puna e mirë që ka bërë qeveria e tij’.

“Në zhurmën e madhe mediatike, zëri i arsyeshëm nuk ka mbërri të dalë në sipërfaqe sa duhet edhe pse e kemi thënë qartë. Zhurma e madhe mediatike me qëllime destruktive, nuk ka lejuar me dalë në sipërfaqe zëri i arsyeshëm, puna që është bërë gatë këtyre gjashtë muajve që bazohet në trashëgiminë  e madhe të LDK-së”, tha ai në një tubim elektoral në qytetin e Vitisë.

Hoti u shpreh i bindur në fitore, duke përmendur sërish frazën “verë e ka bërë Zoti”.

“Ne mbetet prej sot veç me shpallë që zgjedhjet janë të kryera. Ne duhet të festojmë nga sot. Kudo që po shkojmë nëpër komuna, nëpër degë Zoti verë e ka bo gjithkah, edhe sot është ditë e mrekullueshme këtu në Viti”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se LDK-ja do të fitojë bindshëm.

“Nuk ka dilemë se Vitia është me ty, se Vitia është me LDK-në. Nuk ka dilemë se Vitia është me filozofinë e Ibrahim Rugovës që ju e trasoni sot”, tha Hoti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen të dielën e 14 shkurtit.