Hoti viziton liqenin e Badocit, funksionalizohet linja emergjente me Ibër Lepenc

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, vizitoi sot liqenin e Badocit nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 35% e konsumatorëve të KRU “Prishtina”.

Sipas njoftimit të ujësjellësit KRU “Prishtina”, Kryeministri Hoti u mirëprit nga Bordi i Drejtorëve i kryesuar nga Labinot Dedushi dhe menaxhmenti i lartë i KRU” Prishtina” i kryesuar nga z. Sokol Xhafa, kryeshef ekzekutiv.

Gjithashtu në njoftim theksohet se sot, me vizitën e kryeministrit Hoti u realizua linja emergjente për mbushjen e Liqenit të Badocit, përmes sistemit të Ibër Lepencit e cila për herë të fundit ishte shfrytëzuar në vitin 2014.


“Me kërkesën e Kryeministrit Hoti, para tre javësh në një takim të përbashkët me menaxhmentin e KRU” Prishtina” dhe ndërmarrjes Ibër Lepenc, janë angazhuar ekipet profesionale të dy kompanive dhe falë përkushtimit dhe bashkëpunimit është arritur të ri funksionalizohet linja e cila, për herë të fundit ishte shfrytëzuar në vitin 2014,” thuhet në njoftim.

Hoti ndër tjera u njoftua nga KE Sokol Xhafa që gjatë kësaj periudhe ekipet kanë punuar pandërprerë duke sanuar mbi 45 defekte në linjën e vjetruar duke i zëvendësuar afër 100 metra linjë magjistrale me tubacion të ri.


Funksionalizimi i linjës ofron garanci për furnizim të qëndrueshëm me ujë për banorët e Graçanicës me rrethinë e gjerë.

Ujësjellësi gjithashtu ka njoftuar se niveli i ujit në liqenin e Badocit është mbi 10 metra nën nivelin e kapërderdhjes.