Hoti uron presidentin e ShBA-së Biden, i shpreh mirënjohje edhe Trumpit

Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti, i ka dërguar telegram urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

“Jam shumë i lumtur të theksoj se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë e fundit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol vendimtar”, thuhet midis tjerash në telegram.

Sipas ZKM-së, thuhet se Hoti e ka siguruar presidentin Biden, se Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha partitë e saj politike, pozita dhe opozita janë plotësisht të përkushtuara për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë jam i përkushtuar të punojë me administratën tuaj për të forcuar institucionet demokratike, integrimin Euro – Atlantik dhe për t’u bërë një bartës i stabilitetit”, thuhet në letër.

“Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjet për Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij për mbështetjen e dhënë për proceset demokratike në Kosovë, dhe integrimet ekonomike rajonale”, thuhet në njoftim.

Joe Biden të mërkurën është inauguruar presidenti i 46 i ShBA-ve.