Avdullah Hoti LDK

Hoti: Unë do të jem kryenegociator në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i sapozgjedhur, Avdullah Hoti, tha se ai do ta udhëheqë procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kryenegociator do të jem unë. Unë do të jem përgjegjës për procesin e dialogut sepse kështu e thotë Kushtetuta, po ashtu është edhe aktgjykimi në lidhje më këtë çështje”, tha Hoti në RTK.

Negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit kanë ngecur që nga nëntori i vitit 2018, kohë kjo kur Qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Përkundër mosmarrëveshjeve për shkak të tarifës, nën ndërmjetësimin e të dërguarit special të Trump për dialog, Richard Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan dy marrëveshje, njëra për rihapjen e një linje ajrore Prishtinë-Beograd si dhe tjetra për funksionalizimin e linjave hekurudhore.

Qeveria Kurti më pas kishte larguar tarifën 100% dhe ka vendosur reciprocitet.

Ndërsa, tani edhe BE ka emëruar përfaqësuesin special për dialog, Miroslav Lajçak, por se nuk dihet se kur do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.