Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti u tregon liderëve të Luginës së Preshevës se çka do të trajtojë Zyra e sapoformuar

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, sfidat në luftën kundër COVID-19, si dhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Hoti theksoi se Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e “Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës”, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të angazhohet të ndërmarrë masat e nevojshme që të lehtësojë dhe përmirësojë jetën e qytetarëve që jetojnë në atë anë, me theks të veçantë në fushën e arsimit, kulturës dhe ekonomisë.

“Zyra do trajtojë edhe çështjet të tjera që nuk janë listuar në këtë vendim, por që dalin si kërkesa dhe nevoja eventuale nga qytetarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, ka thënë Hoti.

Kurse, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e kanë falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen, dhe veçanërisht për themelimin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës, duke shtuar se intensifikimi i bashkëpunimit është në dobi të dyanshme.

Qeveria e Kosovës të hënën ka miratuar  propozim-vendimin për themelimin e “Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës. Kjo zyrë do të jetë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.