Hoti thotë se Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani ishin dhe janë gabim

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se partia Lëvizja Vetëvendosje dhe bashkëpartiakia e tij në LDK, Vjosa Osmani, historikisht kanë qenë gabim me qëndrime ndaj ngjarjeve politike në vend.

Shefi i ekzekutivit kosovar këto komente i bëri derisa foli rreth marrëveshjeve të nënshkruara dje në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Historikisht, Vetëvendosje ka qenë gabim, historikisht, nëse kthemi nëpër ngjarjet historike. Nuk po them që kjo është ngjarje e madhe historike, sikur shpallja e Pavarësisë, por është është ngjarje e rëndësishme, por Vetëvendosje ka qenë historikisht gabim në momente të tilla, edhe kësaj radhe është gabim”, deklaroi Avdullah Hoti në televizionin publik.

Ndërsa, për kryetaren e Kuvendit të Kosovës, që vjen nga partia e Hotit, tha se i duhen disa vite për ta kuptuar që është gabim. 

“Edhe zonja Osmani, siç ka qenë në të kaluarën gabim edhe kësaj radhe është gabim. Asaj i duhen edhe 2-3 vite disa ta kuptojë që është gabim. Iu kanë dashtë 2-3 vite me kuptu çështjen e demarkacionit që është gabim, ose 3 vite i janë dashtë për me kuptu që zgjedhja e kryetarit Mustafa në krye të qeverisë në vitin 2014, pas 3 viteve e ka kuptu që e ka pas gabim, edhe kësaj radhe është gabim”, vlerësoi Avdullah Hoti.

Dje gjatë ditës, në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia dhanë besimin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, që do të respektojnë 16 pika të një marrëveshje e cila ka qëllim lehtësimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vende.