Hoti thotë se testin e ka bërë dje pasdite dhe më pas është izoluar

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, pasi ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, ka thënë se testimin e ka bërë të dielën rreth orës 16:00, pas një kolle të lehtë që kishte pasur.

Ai ka shkruar se në momentin që është testuar, është izoluar dhe ka respektuar protokollin e mjekëve.

“Edhe pse nuk kam pas asnjë shqetësim serioz, me paraqitjen e një kolle të lehtë të dielën, bashkepunetorët me rekomanduan të testohem. Testimin e kam bërë të dielën rreth orës 16. Në momentin që jam testuar, jam izoluar në pritje të rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, sapo e ka marrë rezultatin e ka bërë publik.