Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti thotë se askush s’po merret me zhvillim ekonomik: Si u katandisëm kështu?

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë përmes një postimi në Facebook.

Sipas Hotit, askush s’po merret me zhvillim ekonomik. Ai ka përmendur disa prej problemeve, që sipas tij, askush s’po merret me to.

“Në janar u rrit tatimi në pronë për 100%, nga prilli rritet energjia me 15%, çmimet e konsumit mbesin të larta, investimet kanë rënë në nivelin më të ulët për shumë vite, rritja ekonomike ka rënë nga 10% në 3% që nuk mjafton për të mbuluar as amortizimin, kursimet prej 2.5 miliardë euro në Trustin Pensional janë në mëshirë të tregut pasi Trusti nuk ka Bord, Banka Qendrore nga java tjetër mbetet pa Guvernator, investimet kapitale të shtetit janë të papërfillshme pasi asnjë ministri nuk po punon gjë” – deklaroi të dielën ai.

“Askush nuk flet as nuk merret me zhvillim ekonomik dhe punësim. Nuk e sheh një ngjarje të vetme ku promovohet një fabrikë e re apo një projekt i ri. Si u katandisëm kështu?” – ka pyetur Avdullah Hoti.