Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Tërheqja e mjeteve nga Trusti është zgjidhja e vetme që u ka mbetur qytetarëve

Komisioni për Buxhet e ka miratuar sot iniciativën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë kjo është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar krizën.

“Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se LDK ka propozuar dy mundësi për të dalë nga kriza, të cilat, sipas tij, kanë qenë të realizueshme.

“Siç kemi propozuar vazhdimisht, Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për t`u dalë në ndihmë qytetarëve përmes: rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës”- ka thënë ai.

Hoti tutje ka thënë se përderisa Qeveria nuk i përfillen propozimet e opozitës për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti në seancë plenare.

Me 4 vota për, 3 vota kundër dhe 2 abstenime komsioni sot e ka miratuar këtë projektligj.

Për prezantimin e këtij Projektligji është ftuar Adnan Jashari, si përfaqësues i iniciativës e cila ka ardhur në Kuvend pas nënshkrimeve të qytetarëve.

Jashari ka thënë se kjo nismë ka filluar si kërkesë e qytetarëve pas miratimit të këtij Projektligji në Kuvend.

“Pranuam mijëra kërkesa nga qytetarët që kërkesa dhe nevoja është e madhe. Qytetarët u organizuan vullnetarisht ku edhe dorëzuam nënshkrimet e rregullta të cilat janë mbi 17 mijë nënshkrime. Këto kërkesa erdhën pas janë rritur te gjitha çmimet dhe është bërë e vështirë jeta e qytetarëve”- ka thënë Jashari.

Projektligji pas miratimit në komisionin pritet të futet ne rend të ditës të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

Projektligji për Trustin fillimisht ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës u dorëzuan nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin.