Foto: ZKM

Hoti: Të pagjeturit, çështja kryesore në çfarëdo marrëveshje me Serbinë

Në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë homazhe te obelisku i personave të pagjetur.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se sot, bashkë me anëtarët e kabinetit dhe me të tjerë që janë marrë me këtë kauzë tash e 20 vjet, po bëjnë nderimet e zakonshme, të rregullta për ta.

“Kjo është plagë e hapur, është tema më e ndjeshme edhe pas 20 vjetëve të çlirimit. Nuk është e tepërt ta them para jush se kjo është çështja kryesore në çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet për normalizim të marrëdhënieve dhe për njohje reciproke në mes të dy vendeve”, theksoi Hoti.

Kryeministri Hoti ka thënë se se nuk mund të jenë të qetë, derisa familjarët e të pagjeturve të dinë se ku i kanë të dashurit e tyre.

“Ne sot bashkë-ndiejmë dhimbjen që e kanë ata dhe tregojmë kujdesin shtetëror dhe institucional për të gjithë të pagjeturit”, tha kryeministri Hoti.