Foto: ZKM

Hoti: Tarifa duhet të largohet sa më shpejt për t’iu kthyer dialogut

Zëndëskryeministri, Avdullah Hoti ka thënë që tarifa 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duhet të hiqet sa më shpejtë në mënyrë që ti kthehen tavolinës së bisedimeve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut. Çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit”, ka shkruar Hoti në facebook.

Sipas Hotit marrëveshja me Serbinë duhet të jetë me njohje reciproke, dhe përfshira amerikane e ka ndryshuar dinamiken e negocimit.

“Qëndrimi i Sekretarit Pompeo dhe angazhimet e ambasadorit Grenell se sovraniteti i Republikës së Kosovës është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit dhe se Marrëveshja për Paqe mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultoj me njohjen reciproke, janë garanci për pozitën tonë negociuese dhe synimet tona në këtë dialog”, ka shkruar Hoti.

Ashtu si kryeministri Kurti, edhe Hoti ka theksuar se dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, e cila bartë legjitimitetin politik të deleguar nga Kuvendi i Kosovës. Përfshirja sa më e shpejt jep kohë për negocim më të favorshëm për Marrëveshjen përfundimtare”, ka shkruar tutje ai.

Sipas zëvëndëskryeministrit Hoti ‘tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pa kapërcyeshmë për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE’.

Hoti ka insistuar që çdo shtyrje e heqjes së tarifës është në dëme të Kosovës, dhe si e tillë duhet të largohet.

“Çdo shtyrje për heqjen e tarifës komprementon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin. Asnjë masë e jona e një anëshme nuk mund të mbroj apo avansoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE” ka theksuar Hoti.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinja në nëntor të vitit 2018 ka vendosur një tarifë 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Faktori ndërkombëtar e ka kundërshtuar këtë vendim të qeverisë së kaluar.

Ky vendim ka shkaktuar edhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

Ndërsa kryeministri i ri, Albin Kurti është deklaruar se kjo tarifë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë.