Hoti takon Tusk, kërkon që të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti neë kuadër të vizitës së tij në Bruksel u takua me presidentin e Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk.

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra për media e qeverisë, Hoti ka kërkuar nga Tusk që të përmbyllet sa më shpejtë procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Në këtë takim, është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, me ç’rast kryeministri Hoti theksoi nevojën urgjente për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi, duke potencuar se Kosova tashmë i ka përmbushur kërkesat e shtruara nga BE-ja për liberalizim të vizave”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, kryeministri Hoti e ka njoftuar presidentin Tusk për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, e në veçanti për menaxhimin e pandemisë COVID 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit, si pasojë e kësaj pandemie.

Përveq kësaj, Hoti dhe Tusk kanë diskutuar edhe për forcimin e rendit dhe ligjit si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Një ndër çështjet e diskutuara në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut me Serbinë. Kryeministri Hoti shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për vazhdimin e dialogut, duke theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas komunikatës, Hoti dhe Tusk kanë biseduar edhe për rolin që ka LDK-ja në të gjitha zhvillimet politike në vend, si parti anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP).