Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti takon presidentin Macron, e fton për vizitë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe pjesa tjetër e delegacionit të tij, sot në Pallatin Elysee në Paris, është pritur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosoëvs, kjo është vizita e parë bilaterale në Pallatin Elysee e një kryeministri të Kosovës pas shumë vitesh.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera. Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë”, thuhet në njoftim.

Tutje thekoshet se në takim u bisedua për zhvillimet në Kosovë dhe rajon me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

 

Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti thuhet se e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

“Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, bën të ditur qeveria nga ky takim.

Më tej theksohet se presidenti Macron dhe kryeministri Hoti u pajtuan që të dy vendet të bashkëpunojnë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të Brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes Francës dhe Kosovës, si dhe të punohet së bashku për promovimin e frankofonisë në Kosovë.

Në fund të takimit, Hoti e ftoi presidentin Macron për vizitë në Kosovë, të cilën ftesë Presidenti e mirëpriti.

“Kjo vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për Presidentin Macron”, thuhet në njoftim.

Vizita e Hotit në Francë, i paraprinë takimit mes tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që do të rinisë më 12 korrik.