Hoti takon Komisionerin e BE-së, Oliver Varhelyi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë qendrimit të tij në Bruksel ka zhvilluar takim me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Hoti e Varhelyi kanë biseduar mbi rimëkëmbjen ekonimike pas pandemisë si dhe zhvillimet politike.

Ndërkaq temë kryesore e këtij takimi ka qenë liberlizimi i vizave për Kosovën.

“Ka biseduar për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë Covid 19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes. Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave. Kryeministri Hoti ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian”, bënë të ditur ZK-ja.

Sipas ZK-së Komisioneri Varhelyi, siguroi kryeministrin Hoti, se Kosova do të përfshihet në strategjinë evropiane për luftimin e pandemisë.

“Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se Kosova si pjesë e kontinentin është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie”, thuhet tutje në njoftim.

Avdullah Hoti të ejten e kësaj jave do të mbajë takim në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi