Foto: Zyra e Kryeministrit
Hoti takon delegacionin amerikan për çështje energjetike
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po bënë hapat e nevojshëm drejt implementimit të marrëveshjes së Uashingtonit.
Hoti përmes Facebook-ut ka njoftuar se me zyrtarë qeveritar dhe një delegacion të SHBA-ve sot kanë diskutuar për zbatimin e projekteve të dakorduara në Uashington.
Hoti ka shtuar se në këtë takim është diskutuar për nevojat ekonomike dhe energjetike të Kosovës, të cilat burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe implementimin e projekteve të dakorduara në këtë marrëveshje.
“Bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj dhe ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, takuam një delegacion nga Departamenti i Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kryesohej nga z. Mattew Zais, zëvendës Ndihmës Sekretar Kryesor, ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësues të USAID-it, me të cilët diskutuam për implementimin e projekteve të dakorduara në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë”, thuhet në publikimin e tij.
Kryeministri kosovar ka shtuar se e ka falënderuar delegacionin amerikan për ndihmën e vazhdueshme.
“I falënderova delegacionin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës, në të gjitha periudhat e shtet ndërtimit”, thuhet në publikimin e tij.
Njëra prej pikave të marrëveshjes së Uashingtonit është hartimi i një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, nga ana e Kosovës dhe Serbisë si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.