Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti takoi menaxhmentin e Trepçës dhe Sindikatën e Telekomit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi kanë takuar Bordin dhe Menaxhmentin e Trepçës, të cilës i është bllokuar llogaria për shkak të borxheve ndaj kreditorëve.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, pavarësisht performancës së mirë dhe rritjes së prodhimit për 28% gjatë këtij viti, rënia e çmimeve në bursa dhe tregje ndërkombëtare e ka nxjerrë këtë kompani me afarizëm negativ.

“Trepça ka trashëguar kontrata të pafavorshme të cilat po i shkaktojnë dëme financiare. Prandaj, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të bashkëpunojë me Bordin dhe Menaxhmentin e Trepçës, në përgatitjen e planit të biznesit për tejkalim të situatës”, thuhet në komunikatë.

Një ndërrmarje publike tjetër që iu kanë bllokuar llogaritë është edhe të Telekomit të Kosovës.

Hoti, bashkë me Ministrin Kuçi, sot ka takuar edhe Sindikatën e Telekomit të Kosovës, duke shtuar në njoftim se “në tre muajt e fundit Telekomi i Kosovës ka performuar pozitivisht”.

KALLXO.com ka raportuar dje se ndërmarrjes publike ‘Trepça’ i janë bllokuar llogaritë nga përmbaruesit për shkak të borxheve të kësaj ndërmarrjeje ndaj operatorëve ekonomikë. Kryeshefi i Trepçës, Hysen Vrajolli për KALLXO.com ka thënë se shuma e borxhit për çka janë bllokuar llogaritë është rreth 7-8 mijë euro.