Hoti takohet virtualisht me Forumin e Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme është takuar virtualisht me Forumin e Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ambasadori i ShBA-ve, Philip Kosnett, përfaqësuesi BE-së, Riccardo Serri, si dhe përfaqëues të vendeve donatore prezentë në Kosovë.

Sipas njoftimit, në këtë takim Hoti ka shpalosur vizionin afatgjatë të Qeverisë, për rimëkëmbjen ekonmike dhe për përfshierjen e donatorëve në financimin e prioriteteve të vendit.

“Ndihma e menjëhershme e mobilizuar nga donatorët nëpërmjet projekteve, përkrahjes së buxhetit të vendit dhe huave për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike gjatë vitit 2020 dhe e planifikuar për vitin e ardhshëm, arrin mbi 400 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim thuhet se për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vitet e ardhshme, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat.