Hoti takohet ambasadorët e shteteve të QUINT-it, flasin për dialogun

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me Koordinatorin shtetëror për dialogun me Serbinë, Skënder Hysenin, sot janë takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim është biseduar për zhvillimet aktuale në vend,veçanërisht për procesin e dialogut me Serbinë.

Sipas Hotit, ky dialog duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Tutje, kryeministri Hoti i ka njoftuar ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, për masat që po ndërmerr qeveria e Kosovës për parandalimin e pandemisë Covid 19 dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.