Hoti sot pritet ta dorëzojë detyrën te Kurti

 

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në një konferencë për media pas votimit të Qeverisë Kurti 2, tha se të martën do t’ia dorëzojë detyrën Albin Kurtit.

Hoti tha se Kurtit i ka përgatitur një dosje me informacione për punët që janë në proces.

“Nesër do t’ia dorëzoj detyrën kryeministrit të ri sipas protokollit i kam dorëzuar dosjen për punët në proces dhe janë disa procese të rëndësisë nacionale që kanë karakter historik dhe duhet të kryhen. Do t’ia dorëzoj informatat e plota për të gjitha gjërat, si ka shkuar procesit i dialogut, dakordimet me miqtë tanë, marrëveshjen e Uashingtonit”, tha ai.

Hoti u shpreh i bindur se ka udhëhequr Qeverinë gjatë mandatit të tij në mënyrën më të mirë të mundur, derisa shtoi se LDK-ja nuk do të gjuajë gaz lotsjellës në Kuvend dhe do të luajnë rolin e opozitës demokratike.

“Nuk do të gjuajmë gaz lotsjellës në Kuvend dhe do të jemi opozitë konstruktive dhe do të përdorim mjetet kushtetuese dhe demokratike”, tha më tej ai.

Të hënën më 22 mars 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e tij u zgjodhën nga Kuvendi me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Qeveria Kurti 2 do t’i ketë 15 ministri, nga ta 8 anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas kabinetit të prezantuar nga Albin Kurti, 5 ministri do të drejtohen nga gratë.