Hoti serish e përmend pakon e rimëkëmbjes prej 1.2 miliard euro

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hotit serish e ka përmendur programin e rimëkëmbjes ekonomike pas pasojave të lëna nga pandemia.

Hoti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar që të zbatoj programin e rimëkëmbjes.

Ai premtoi që do të rritë ndjeshëm shpenzimet qeveritare në shëndetësi si dhe në mobilizimin e 1.2 miliard euro për programin e rimëkëmbjes.

Këto deklarime ai i ka bërë në një tryezë të organizuar nga Instituti “Riinvest”, në të cilën u prezantuar raportin “Bashkëjetesa me COVID-19: Tri shtylla të rimëkëmbjes”. Ky raport përmbledh rezultatet kërkimore të grumbulluara përmes analizës së dokumenteve dhe anketave me bizneset.

Studimi i Institutit Riinvest thekson se bizneset kanë pritje serioze nga Programi i rimëkëmbjes.

“Këto pritje kanë të bëjnë sidomos me lehtësimin e qasjes në financa, lehtësimin e kushteve të kredisë, duke subvencionuar ose mbuluar tërësisht interesat, duke zgjatur afatin e pagesave, riprogramuar kreditë, siguruar pushim (greis period) në kthimin e obligimeve kreditore”, thuhet në raportin e Riinvestit.

Raporti thotë se Kosova ka një nivel të ulët tejet kritik të financimit qeveritar të shëndetësisë me vetëm rreth 3% GDP, e që është 2 -3 herë më pak se vendet e rajonit.

“Një nga Rekomandimet kryesore të Institutit Riinvest është përfshirja urgjente e sektorit të shëndetësisë me intervenim të strukturuar dhe të kuantifikuar e me burime të sigurta deri në 4-5% të GDP-së sivjet dhe 6% vitin e ardhshëm dhe me prioritet për investime të shpejta për rritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve teknike, pajisjeve dhe kapaciteteve humane si dhe për përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor për të përballuar situata serioze siç është kjo me COVID-19 ose të ngjashme”, thuhet në raportin e Riinvestit.